Komponenti i përfshirjes digjitale do të mbështesë përfshirjen digjitale nëpërmjet: (a) zgjerimit të lidhshmërisë digjitale nëpërmjet bashkëfinancimit të shtrirjes së lidhshmërisë brezgjerë të shpejtësisë së lartë në zonat që janë identifikuar si të palidhura apo me shërbime jo të duhura, dhe (b) përmirësimi i mjedisit mundësues për shërbime brezgjerë pa tela, nëpërmjet vendosjes së Sistemit Kombëtar për Monitorimin e Spektrit (SKMS). Është e rëndësishme të përmendet që përmes zgjerimit të lidhshmërisë brezgjerë të shpejtësisë së lartë në vend, përfshirë në zonat rurale që janë më të cenueshme ndaj ndryshimit klimatik, aktiviteti do të ndihmojë në mundësimin e përmirësimeve në sistemet e paralajmërimit të hershëm nëpërmjet mbështetjes së komunikimit më të mirë ndërmjet zonave të prirura për fatkeqësi dhe agjencive relevante gjatë dhe pas fatkeqësive.

Financimi i Lidhshmërisë Dixhitale

Nënkomponenti “financimi i lidhshmërisë digjitale” do të financojë (1) ofrimin e mbështetjes për lehtësimin e shtrirjes së infrastrukturës së telekomunikimeve mbi bazat e neutralitetit të teknologjisë për të rritur qasjen në internet brezgjerë të shpejtësisë së lartë për vendbanimet e palidhura apo me shërbime jo të duhura dhe institucionet publike (në veçanti institucionet e kujdesit shëndetësor dhe institucionet arsimore) dhe (2) ofrimin e asistencës teknike dhe aktiviteteve të ngritjes së kapaciteteve për Autoritetin Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) dhe MZHE për të fuqizuar mjedisin mundësues të politikave, ligjor dhe rregullator për të mbështetur shtrirjen e infrastrukturës brezgjerë të shpejtësisë së lartë në kushte të qasjes së hapur dhe jodiskriminuese dhe zhvillimin e ekonomisë digjitale. Objektivi i këtij nënkomponenti është të tërheqë investime private në zonat që nuk do të shërbehen nga vetë tregu (ku janë identifikuar dështime të tregut), nëpërmjet marrëveshjes për grante përputhëse. Konkretisht, projekti do të alokojë fonde për Ofruesit e Shërbimeve të Internetit (OSHI-të) të cilët, pas thirrjes për propozime, kërkojnë shumën më të vogël të grantit dhe do të ofrojnë zgjidhjen më efikase teknike, përfshirë edhe në aspektin buxhetor, për lidhur vendbanimet me shërbime jo të duhura që janë përzgjedhur (përfshirë amvisëritë dhe institucionet publike) për të shkarkuar/ngarkuar me shpejtësi prej së paku 100 Mbps, e cila mund të përmirësohet më tej në të ardhmen. Janë identifikuar lokacionet e sakta gjeografike. Disbursimi i shumës së grantit në OSHI-të e përzgjedhura do të lidhet me përfundimin e shtrirjes.

Sistemi Kombëtar për Monitorimin e Spektrit (SKMS)

Ky nënkomponent do të financojë (a) ofrimin e mbështetjes për shtrirjen e SKMS për ARKEP-in për të lehtësuar investimet në shtrirjen e infrastrukturës pa tela nëpërmjet inputeve teknike mbi caktimin dhe përdorimin e brezave radio-frekuencor dhe (b) ofrimin e asistencës teknike dhe aktiviteteve për ngritjen e kapaciteteve për ARKEP-in në menaxhimin e spektrit dhe temave lidhur me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve brezgjerë pa tela në tërë vendin. Nëpërmjet SKMS, ARKEP-i do të sigurojë monitorimin efikas të spektrit në vend. Konkretisht, ky aktivitet do të financojë shtrirjen e elementeve harduerike dhe softuerike (p.sh. kullat dhe antenat), ngritjen (lansimin) e sistemit (përfshirë ngritjen e qendrës së kontrollit dhe lansimin e softuerit për menaxhimin e spektrit) dhe trajnimin për ARKEP-in. SKMS do të operohet nga ARKEP-i në përputhje me mandatin e tij të përcaktuar me ligj.