Inaugurimi i Rrjetit për Hulumtim dhe Edukim te Kosoves (KREN) është një ndër ngjarjet të rëndësishme për dixhitalizimin e arsimit në Kosovë, implementimi i të cilës është bërë me një përkushtim të madh në kuadër të projektit KODE.
Këtë inaugurim e realizuan, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe menaxheri zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci në ITP Prizren.
Projekti KREN është realizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe është mbështetur nga Banka Botërore (World Bank Kosovo). Në sistemin KREN janë të lidhura të gjitha universitetet e Kosovës, së shpejti do të lidhen të gjitha institucionet shkollore dhe do të shfrytëzohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për shpërndarjen e kurikulës digjitale.
Po ashtu, me KREN-in studentët dhe hulumtuesit do të kenë qasje në laboratorë virtuale, trajnime softwerike të avancuara, dhe projekte të përbashkëta kërkimore me kolegët nga e gjithë Evropa përmes shoqatës pan-europiane GÉANT dhe do të ofrohen shumë shërbime të tjera.