Kryeministri Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, përfaqësuesit e Bankës Botërore Nicole Klingen, Natalija Gelvanovska Garcia, Charles Hurpy, menaxheri për Kosovë Massimiliano Paoluccie dhe përfaqësues të ARKEP-it, kemi inauguruar Sistemin Nacional për Monitorim të Spektrit frekuencor (SNMS)!
SNMS-në është shpallur si projekt me rëndësi për sigurinë nacionale që në mbledhjen e parë të Qeverisë.
Kosova ishte ndër vendet e fundit në Evropë që nuk e kishte një sistem të tillë të monitorimit të spektrit frekuencor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.
Përmes këtij projekti, Ministria e Ekonomisë, është përkushtuar që brezi frekuencor të jetë i rregulluar por edhe sovran nga ndikimet e jashtme në Kosovë. Ky sistem do të mundësojë që – si çdo pasuri tjetër e Republikës së Kosovës – edhe brezi frekuencor, jo vetëm që shfrytëzohet por edhe mbrohet nga shteti.
SNMS me katër stacione fikse dhe një lëvizës monitorues do të mundësojnë monitorimin më efikas të spektrit frekuencor në tërë territorin e Republikës, si dhe do të mundësojë:
– Mbrojtjen e sigurinë kombëtare;
– Mirëmbajtjen e rendit publik;
– Shërbimet publike emergjente;
– Mbrojtjen e kufijve shtetërorë;
– Monitorimin e spektrit frekuencor të mediave audio-vizuele;
– Sigurinë hekurudhore; ndër të tjera.