Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, me një angazhim disa vjeçar ka arritur Marrëveshje me Bankën Botërore për financimin e Projektit për Ekonominë Dixhitale të Kosovës – KODE. Ky projekt parashihet të jetë një investim thelbësor në ngritjen e kapaciteteve të infrastrukturës telekomunikuese të Kosovës.

Në dy vitet e para efektive, Projekti KODE ka arritur të implementojë aktivitetet e saja kyçe në shtrirjen e rrjetit fiks brezgjerë dhe të arrijë synimin INTERNET PËR ÇDO SHTËPI NË KOSOVË!

Përmes granteve mbështetëse, Projekti KODE ka financuar një numër të madh të Ofruesve të Shërbimeve të Internetit për shtrirjen e infrastrukturës së teknologjisë së fundit brezgjerë, fibër optik, si dhe ofrimin e shërbimeve të internetit dhe programeve televizive, në zona më të thella të Kosovës, duke përfshirë edhe shumë zona kufitare që deri tani kanë qenë në terr informativ, e ku asnjë operator ekonomik nuk ka pas interes investimi më parë. Në këto zona, ku popullsia në vazhdimësi është larguar për shkaqe të ndryshme, ndër to dhe mungesa e qasjes në internet, tashmë është kthyer një dritë shprese për të mos i lënë shtëpitë e tyre dhe kjo është shprehur haptas nga banorët vendas në kontaktet me përfaqësuesit e ministrisë dhe të Projektit KODE.

Kush ka përfituar nga aktivitetet e Projektit KODE?

Mbi 4 mijë familje në 147 fshatra të ndryshme, tani kanë qasje në internet të shpejtësisë së lartë dhe përveç kësaj, çdo institucion publik (shkolla, institucione shëndetësore dhe zyret e regjistrimit civil etj), në këto zona tani më janë kyçur në infrastrukturë dhe do t’i përdorin shërbimet e saja për 5 vite falas, financuar nga Projekti KODE.

Ndikimi i këtyre aktiviteteve do të jetë afatgjatë. Popullsia në këto zona gradualisht do të akomodohet me përdorimin e kësaj teknologjie dhe do të filloj me shfrytëzimin e shërbimeve që ofrohen online. Si rezultat i shprehur shpejtë, është përdorimi i internetit për mësim dhe punë nga shtëpia. Kemi parasysh që situata e krijuar nga pandemia COVID-19, ka shtyrë me mijëra njerëz në Kosovë që punën dhe edukimin ta realizojnë online.

Gjitha këto të dhëna, vërtetohen edhe në raportet e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe akterëve të tjerë në Kosovë, ku figurojnë informatat që penetrimi i internetit në Kosovë ka shënuar rritje në dy vitet e fundit dhe rrjedhimisht është rritur përdorimi i shërbimeve online.