Sot, më 27 Tetor 2020 janë nënshkruar Memorandumet e Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë, në kuadër të Rrjetit për Hulumtim dhe Edukim të Kosovës (ang. Kosovo Research Education Network – KREN).

Ishin përfaqësuesit e 20 universiteteve dhe kolegjeve që nënshkruan memorandumin bashkë me ministrin z. Blerim Kuçi, duke e cilësuar këtë si ngjarje të rëndësishme në ndërlidhjen e arsimit dhe teknologjisë.

Ministri Blerim Kuçi theksoi se qëllimi i këtij memorandumi është promovimi i zhvillimit ekonomik dhe rritja e punësimit përmes përfshirjes së teknologjisë së informimit dhe komunikimit, në veçanti qasja e resurseve të teknologjisë dhe dijes për studentët dhe profesorë të të gjitha kolegjeve dhe universiteteve në Kosovë.

“Përmes nënshkrimit të këtij memorandumi, unë ndjej kënaqësi sepse Kosovës i mundësohet qasje në një rrjet ndërkombëtar për t’i mundësuar dijen studentëve dhe profesorëve në qasjen e rrjeteve të ngjashme që janë në botë. Kjo është një risi, një mundësi shtesë të cilën ne duhet ta shfrytëzojmë dhe sot po nënshkruajmë marrëveshjen e mirëkuptimit bashkë me ju”, tha Kuçi.

Ndërsa, znj. Fjolla Restelica-Ahmeti, koordinatore e projektit për ekonominë dixhitale ne Kosovë – projekti “KODE”, theksoi se përmes këtij projekti synohet që të financohen të gjitha aktivitetet që do ta ndihmojnë Kosovën në transformimin dixhital të vendit.

“Tani edhe Kosova po e krijon Rrjetin Kombëtar për Hulumtim dhe Edukim – KREN. KREN-i është rrjeti i parë i këtij lloji, që për qëllim kryesor ka ngritjen/zhvillimin e komunitetit të hulumtuesve dhe zhvillimin e edukimit në Kosovë”.

Ky rrjet pretendon që të arrijë zhvillimin e komunitetit të hulumtuesve, duke i siguruar këtij komuniteti qasje në resurse të ndryshme dixhitale, si: qasje në infrastrukturë moderne të teknologjisë së informacionit, shërbime të ndryshme dixhitale, qasje në literaturë, si edhe të ofrojë bashkëpunim në mes të institucioneve arsimore brenda dhe jashtë Kosovës.

Në kuadër të funksionalizimit të KREN, tani është duke u zhvilluar qendra e të dhënave për hulumtim dhe edukim  në parkun ITP në Prizren si dhe është duke u zhvilluar  portfolio e shërbimeve që do të jetë në funksion të përdoruesve  – Universtiteve dhe kolegjeve në Kosovë.

Ky rrjet së shpejti do të jetë pjesë e rrjetit akademik më të madh në Evropë, GEANT. Përmes këtij antarësimi, institucionet arsimore në Kosovë do të kenë mundësinë ekskluzive të bashkëpunimit me universitetet dhe institucionet studimore më prestigjioze në Evropë.