Mbyllja e shkollave dhe vendeve të punës në tërë Kosovën, ka detyruar mijëra studentë dhe punëtorë të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të vazhdojnë punën e përditshme në internet. Mësimi në distancë, puna nga shtëpia, ka theksuar më tej nevojën për rrjetin brezgjerë në Kosovën rurale. Për banorët e zonave të thella të Kosovës, qasja në rrjet brezgjerë është bërë një rrugë shpëtimi gjatë kësaj krize të shëndetit publik.
Rëndësia e rrjetit brezgjerë është e shprehur edhe në institucionet shëndetësor të këtyre zonave, të cilat duhet të lidhen me rrjet për të marrë udhëzimet apo informatat, veçanërisht kur rastet e COVID-19 shfaqen në zonën e tyre. Gjithashtu, banorët e zonave duhet të informohen për situatën dhe të kenë mundësinë e lidhjes me specialistë për shqetësimet e tyre.
Çfarë është roli i projektit KODE për të lehtësuar këtë situatë? Projekti gjatë vitit 2019, ka financuar vendosjen e rrjetit fiks brezgjerë me shpejtësi të lartë në 85 fshatra të Kosovës dhe vlen të përmendet se 65 institucione publike, përfshirë këtu dhe institucionet shëndetësore në këto zona janë tashmë të lidhura me rrjet. Projekti KODE mundëson lidhje falas në internet për të paktën 5 vjet për këto institucione publike.
Në vitin 2020, Projekti është duke vazhduar me aktivitetet e saj lidhur me shtrirjen e rrjetit brezgjerë dhe tashmë ka filluar procedurat për të mbuluar fshatrat e mbetura.