Në kuadër të projektit KODE, ndër komponentët e tjerë të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë dixhitale të Kosovës, është parashikuar edhe themelimi dhe funksionimi i Rrjetit Kombëtar të Hulumtimit dhe Edukimit (NREN) në Kosovë.
Për këtë qëllim, Drejtori i Projektit KODE, Z. Agim Kukaj dhe Njësia për Implementimin e Projektit (NJZP), kanë organizuar një punëtori në Prishtinë më 15 Tetor 2019 për krijimin e NREN në Kosovë.
Në punëtori morën pjesë pjesëmarrës nga 27 institucione të ndryshme përfshirë institucione qeveritare, akademike dhe kërkimore. Qëllimi i punëtorisë ishte të informojë dhe diskutojë hapat që duhen ndërmarrë për krijimin e NREN në Kosovë, përkatësisht rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve për formimin e Federatës si hapi i parë dhe më pas aplikimi i procedurave të ardhshme.
Nevoja për mbështetje profesionale nga organizata GEANT është shfaqur gjatë planifikimit të aktiviteteve për krijimin e NREN, dhe me një fokus të veçantë në Federatë – organizimin, krijimin, politikën, shërbimet dhe sigurinë.
Në punëtorinë me qëllim të informimit të pjesëmarrësve për proceset, Z. Goran Švarč, Konsulent Ndërkombëtar i angazhuar nga projekti KODE dhe Z. Miroslav Milinovic, Asistent Drejtor për Infrastrukturën e TI dhe Middleware në Qendrën e Informatik Universitar në Zagreb kanë mbajtur të dy prezantime. Pas prezantimeve, punëtoria vazhdoi me diskutim të hapur ku u bënë pyetje të ndryshme dhe u dhanë sqarime nga folësit si dhe KODE PIU lidhur me procedurat e mëtutjeshme për krijimin e NREN dhe lidhjen e saj me GEANT.